“Dukagjini” në listë për Çmimin Ndërkombëtar të Përsosmërisë në kuadër të Panairit të Librit në Londër

Libraria “Dukagjini” është futur në listën e ngushtë të të nominuarve për Çmimin Ndërkombëtar të Përsosmërisë, në kuadër të Panairit të Librit në Londër. Për këtë çmim prestigjioz, “Dukagjini” garon për kategorinë “Çmimi për librarinë e vitit”, bashkë me libraritë “Minoa” nga Turqia, “Strandlaufer Verlagsbuchhandlung” nga Gjermania dhe “Rovingheights” nga Nigeria.

Në komunikatën për medie, lëshuar nga “London Book Fair”, potencohet fakti i debutimit të Kosovës në këtë garë prestigjioze.

Lexo Edhe:
“Lista e ngushtë e këtij viti përfshin shtatë vende të ndryshme, me Kosovën në listën e ngushtë për herë të parë, dhe Amerikën Veriore që shquhet me pesë nominime”, – thuhet në komunikatën për medie, të lëshuar nga LBF-ja.

Gareth Rapley, drejtor i Panairit të Librit në Londër, ka thënë se përsosmëria në botim qëndron në zemër të gjithçkaje, duke shtuar se “lista e shkurtër e Çmimeve Ndërkombëtare të Përsosmërisë është një vlerësim për kompanitë e shumta frymëzuese, që punojnë shumë për ta bërë botimin gjithëpërfshirës dhe të qasshëm”.

Fituesit e çmimeve do të përcaktohen në një ceremoni të veçantë në “Olympia” Londër, më 19 prill 2023, në ditën e dytë të panairit, që nis pra më 18 dhe përfundon më 20 prill në Londër. Me 22 vende pjesëmarrëse, në 43 sektorë të ndryshëm të industrisë kulturore dhe me më shumë se 400 aktivitete, Panairi i Librit në Londër është një prej ngjarjeve më të rëndësishme të librit në botë.